Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka prezantuar ndryshimet kryesore në Projektligjin e ri për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë.
Ai ka bërë të ditur se veprat penale për të cilat vlen konfiskimi i pasurisë janë shtuar dukshëm, nisur nga veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionit dhe veprat penale të ndërlidhura me detyrën zyrtare, kundër shëndetit publik, të trafikimit me qenie njerëzore e ato që lidhen me konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit.
“Ky projektligj, është ndër më të rëndësishmit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe si i tillë, Republikën e Kosovës e klasifikon si një prej shteteve me sistemin më të avancuar në rajon dhe brenda vetë Bashkimit Evropian, sa i përket procedurave dhe modelit të konfiskimit të pasurisë së përfituar me vepër penale.” ka thënë ministri Tahiri.
Ai ka ftuar deputetët e Kuvendit që të miratojnë sa më parë këtë projektligj, në mënyrë që të vendoset baza e nevojshme ligjore për tu mbrojtur interesi publik.