Qytetarët me të drejtë vote do të votojnë sot, në nivel të Zvicrës, për tri iniciativa. Në të njëjtën kohë, në 13 kantone do të votohet për iniciativa të ndryshme ose do të zgjidhen këshilltarët për parlamente kantonesh apo qytetesh.
“Mbrojtje nga duhanpirja pasive”, “Për banim të sigurt në pleqëri” dhe “Neni kushtetues për mbështetjen e edukatës muzikore” janë tri iniciativat në nivel vendi.
Ndër votimet që do të mbahen në nivel komunal është ai për ridizajnimin e sheshit Sechseläute të Cyrihut, për ç`gjë kërkohen 17.2 milionë franga.
Sot po ashtu do të mbahen zgjedhjet për Parlamentet e qyteteve St. Gallen dhe Will të kantonit të St. Gallenit dhe Biel-Bienne të Bernës. Ndërsa në kantonin Schaffhausen do të votohet për parlamentin e kantonit.
Bartësit e iniciativës “Mbrojtje nga duhanpirja pasive” duan që në Zvicër të vendoset një ndalesë më e ashpër e pirjes së duhanit, në hapësirat publike dhe në restorante. Sipas tyre, ndalimi që është futur në veprim nga 1 maji i vitit 2010 nuk është sa duhet rigoroz. Ky vendim kishte lejuar konsumimin e duhanit në lokalet hoteliere me hapësirë më të vogël se 80 metra katrorë dhe hapësirat speciale për duhan (Fumoir) me personel shërbyes.
Me iniciativën “Neni kushtetues për mbështetjen e edukatës muzikore” kërkohet që edukata muzikore në shkollat publike të Zvicrës të barazohet me edukatën sportive. Ndërsa iniciativa “Për banim të sigurt në pleqëri” pretendon që pronarëve të shtëpive që i banojnë vetë, t`u mundësohet që, në moshën e pensionit të lirohen nga tatimi për banim.
Rezultatet e para të votimeve priten nga ora 12.