Me moton “Bashkë në luftë kundër sklerozës multiple”, është shënuar në Kosovë Dita botërore e sklerozës multiple.
Drejtori i Klinikës së Neurologjisë dhe nënkryetari i Shoqatës së neurologëve të Kosovës, dr. Nexhmedin Shala, ka deklaruar se përmes shënimit të kësaj dite kanë për qëllim të bëjnë sensibilizimin e opinionit dhe vendimmarrësve për luftën kundër kësaj sëmundjeje.
Sipas tij, Kosova ka të evidentuar mbi 1300 persona të diagnostikuar me sklerozë multiple, përderisa aktualisht në terapi janë vetëm 100 prej tyre. Ai tha se nga skleroza multiple janë të goditura grupmoshat e ndryshme, duke filluar nga mosha 15-vjeçare e tutje. Më tutje dr. Shala u shpreh se Klinika e Neurologjisë ka staf të mjaftueshëm profesional për trajtim të kësaj sëmundjeje, por nevojitet përkrahje më e madhe në trajtim me terapi.
Labinot Demi nga Shoqata e pacientëve me sklerozë multiple, tha se nevojitet përkrahje më e madhe për këtë kategori të pacientëve dhe mbulim i formave të terapisë për ta.