Më 26 maj 2018, në Grosswagen, Shoqata atdhetare “Ndue Perlleshi” organizoi akademi përkujtimore si dhe promovoi këngën për Ndue Perlleshin, të shkruar dhe kompozuar nga kantautori, Fran Kodra, kënduar nga artistja e mirënjohur Gofile Paplekaj.
Pjesën përkujtimore rreth Ndue Perlleshit e paraqiti moderatori i mbrëmjes, Dedë Hajdari ndërsa në hapje u intonua Hymni i At Gjergj Fishtës. Në vazhdim, fjalën përshëndetëse në emër të shoqatës atdhetare “Ndue Perlleshi”, e mbajti nënkryetari Pashk Uka.
Një përshëndetje për familjen Perlleshi e mbajti, shkrimtari dhe përkthyesi Bardhec Berisha, i cili deklamoi një poezi kushtuar heroit Ndue Perlleshi.
Në emër të familjes Perlleshi, akademinë e përshëndet, atdhetari i kauzës se madhe kombëtare, trashëgimtari i Ndue Perlleshit, Ndue Perlleshi i Riu.
Kumtesën shkencore me titull “Rikthimi madhështor i heroit Shqipërisë Etnike, Ndue Perlleshi” e mbajti Mr. sc. Nue Oroshi, kryetar i shoqatës “Trojet e Arbrit”. Përveç prezantimit të personalitetit të Ndue Perlleshit, ligjëruesi foli edhe për heroizmin e bashkëluftëtarëve të tij, siç ishin Shaban Dema, Nrec Nikolla, Zef Gjidoda, Marie Shllaku, Ymer Berisha etj.
Pikësynimet e shoqatës atdhetare “Ndue Perlleshi” i prezantoi, Bajram Dukaj ndërsa ftesën për përkrahje të shoqatës “Trojet e Arbrit” për sesionin shkencor kushtuar “Gjergj Kastriotit – Skenderbeut”, i cili do të mbahet me 28 korrik 2018 në Lezhë, e prezantoi Mr. Sc. Nue Oroshi.
Akademinë, në emër të grupit artistik “Treva” nga Dukagjini e përshëndeti drejtori artistik, Ndue Shytani.
Më tutje, për këngën kushtuar Ndue Perlleshit, foli kompozitori dhe autori i tekstit Fran Kodra ndërsa këtë këngë, për herë të parë e interpretoi këngëtarja e mirënjohur, Gofile Paplekaj.
Në përmbyllje, shoqata “ndue Perlleshi”, i nderoi me mirënjohje disa personalitete si: Hil Perlleshin, Mire Perlleshi, Mark Perlleshin, Dr. Prof. Muhamet Shatrin, Mr. sc. Nue Oroshin, Nik Frrokun (veteran i UÇK-së), Riza Demën (veprimtar i shquar i kauzës kombëtare), artisten e mirënjohur Gofile Paplekaj, Tv Blue Sky (presidentin Gëzim Brahusha) dhe artistin e mirënjohur Nue Shytanin.
Organizimi dhe sponzirizimi i akademisë u bë nën patronazhin e kryetarit të shoqatës atdhetare “Ndue Perlleshi”, zotëri Pjetër Gjergjaj. Është me rëndësi të ceket se anëtarët e familjes Perlleshi, Hil dhe Ndue Perlleshi erdhën enkas për ketë akademi nga SHBA kurse kushërirat Mire dhe Marija Perlleshi, nga Kroacia.
Jehona e kësaj mbrëmje përveç karakterit shkencor – artistik, tek mysafirët zgjoi emocione në frymën kombëtare. Madje një pjesë e të pranishmëve u përlotën. Këto emocione krijonin përshtypjen sikur të ishte kthyer vet heroi i kombit Ndue Perlleshi. Me këto emocione akademia vazhdoi deri në orët e hershme të mëngjesit, u këndua jo vetëm nga artistë por edhe në kor.