Shtetasi japonez Nobukazu Kuriki ka bërë përpjekje për tetë herë me radhë për ta pushtuar majën më të lartë në botë. Banorët vendas tani e kanë gjetur të vdekur në tendën e tij.
Ai i kishte shpallur luftë të ashpër majës më të lartë, Mont Everestit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Albinfo.ch.
Mirëpo, aventura e Nobukazu Kuriki ka përfunduar në mënyrë tragjike. Banorët vendas e kanë gjetur të vdekur në tendën e tij, në afërsi të kampit numër dy, në një lartësi mbidetare prej 7.400 metrash, ka komunikuar Ministria e Turizmit e Nepalit. Informata më të hollësishme për vdekjen e tij nuk ka ende.
Japonezi 36-vjeçar kishte tentuar për shtatë herë me radhë ta pushtojë Mont Everestin e lartë 8.848 metra. Çdo herë përpjekjet e tij përfundonin pa sukses. Në vitin 2012 është dashur t`i amputohen gishtërinjtë, pasi i kishte kaluar dy ditë i bllokuar në një lartësi prej 8.230 metrash.
Kuriki ka qenë një alpinist me përvojë. Bile, ai i ka pushtuar disa maja të të ashtuquajturit “Seven Summits”. “Seven Summits” janë malet më të lartë të shtatë kontinenteve.
Japonezi është viktima e dytë e këtij sezoni të alpinizmit. Para tij kishte vdekur një shtetas nga Maqedonia, i moshës 63-vjeçare.