Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë takuar me presidentin francez, Emmanuel Macron, në Samitin e Sofjes.
“Bashkë me kryeministrin Haradinaj kishim një bisedë shumë të mirë me presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili bashkë me kancelaren Merkel janë promotorët më të mëdhenj të anëtarësimit të Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Me vizionin dhe përkushtimin e tyre i kanë dhënë shpresë të gjitha vendeve tona. Franca e ka mbështetur popullin e Kosovës në gjithë rrugëtimin tonë të gjatë për liri, pavarësi, shtetndërtim dhe në forcimin e perspektives euroatlantike”, ka shkruar Thaçi, përcjell albinfo.ch.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në kuadër të Samitit të BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimorë, ka zhvilluar një takim edhe me kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras.
Sipas Zyrës për Informim të Presidencës, në këtë takim është biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, për shkëmbimin ekonomik dhe tregtar dhe bashkëpunim në fusha tjera.
Thaçi ka kërkuar mbështetje nga ai për procesin e liberalizmit të vizave.
