Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, thotë se Shkolla e Magjistraturës shkel ligjin, duke bërë testin e aftësive profesionale të magjistrantëve në fshehtësi të plotë.
Sipas tij, mungesa e transparencës dhe shkelja e ligjit janë tregues se procesi është i korruptuar dhe i deformuar nën ndikimin e plotë të Qeverisë, përcjell albinfo.ch.
Deputeti i opozitës thotë se Partia Demokratike nuk do të njohë asnjë proces të korruptuar, jotransparent dhe të ndikuar politikisht.
“Shkolla e Magjistraturës është vënë në shërbimin politik të Edi Ramës për të ndikuar vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke rrëzuar një nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi. Në kundërshtim me ligjin e vettingut, Shkolla e Magjistraturës ka zhvilluar testimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit në fshehtësi të plotë, pa transparencë dhe pa asnjë njoftim publik”, ka deklaruar Strazimiri.