Ka filluar mbrëmë Festivali Tradicional Kombëtar “Anadrini Jehon”, i cili mbahet për të 17-tin vit me radhë e që organizohet në kuadër të “Javës së dëshmorëve dhe heronjve të Komunës së Rahovecit”, në fshatin Dejnë.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka hapur festivalin duke thënë se janë mbledhur për të shpalosur vlerat më të mira popullore të kombit tonë.
“Me këtë rast duhet përgëzuar entuziastët e kulturës e traditës tonë popullore për mundin dhe përkushtimin e tyre, si dhe grupet pjesëmarrëse nga të gjitha viset shqiptare. Duke parë këtë entuziazëm, Qeveria komunale e Rahovecit ka ndarë mjete materiale e financiare për krijimin e kushteve sa më të mira për mbarëvajtjen e kësaj feste kombëtare. Banorët e kësaj zone duhet të ndjehen krenar që faktin se me punën e tyre po arrijnë të mbledhin në këtë skenë emra të njohur të kulturës e traditës popullore”, ka thënë ai.