Katër zyrtarë të institucioneve të Kosovës së bashku dhe një qytetarë tjetër, janë arrestuar nga hetuesit e krimeve ekonomike, nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, duke i prezantuar tek Ambasada Amerikanë disa qytetarë si zyrtarë të institucioneve të Kosovës, për t’i pajisur me viza të SHBA-ve.
Këta zyrtarë, në mesin e të cilëve është edhe ish-zëvendësministri i Tregtisë dhe të Industrisë në mandatin e kaluar qeveritar, Jonuz Kastrati, dyshohen se nëntë personave ua kanë marrë nga 20 mijë euro për t’ua siguruar vizat për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në grupin e të arrestuarve, përveç Kastratit janë edhe: Shaban Kila qytetarë nga Malisheva, Burim Hoxha-zyrtar në MTI, Mehmet Morinën-ish-zyrtar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Xhevat Krasniqi, ish-punonjës i sigurisë në Zyrën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçin. Të gjithë të arrestuarit janë nga komuna e Malishevës
Pas një hetimi intensiv që ka zgjatur më shumë se dy muaj në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Prokuroria kosovare konfirmon se kanë siguruar prova të mjaftueshme që këta zyrtarë janë të infiltruar në punë të ndyta.
Ndërsa Policia e Kosovës, përmes një kumtese ka njoftuar se të dyshuarit kanë marrë para deri në 20 mijë euro nga individët në këmbim të vënies së vizave amerikane në pasaportat e tyre.
Këta persona që kishin punuar në disa departamente kishin vepruar në mënyrë të koordinuar deri në ambasadën e SHBA-ve.