Një kompani zvicerane kishte dërguar në fund të vitit 2014 në Siri pesë tonelata të një lloji lëngu nga i cili prodhohet, veç tjerash edhe helmi i luftës, sarini. Eksportimi i kësaj lënde që njihet me emrin Isopropanol, ishte lejuar atëbotë nga Sekretariati Shtetëror për Ekonomi (Seco). Në këtë përfundim kanë ardhur hulumtimet e bëra nga Televizioni Publik i Zvicrës Perëndimore RTS.
Materja në fjalë ka qenë e dedikuar për prodhimin e medikamenteve, thonë në Seco duke e mbrojtur vendimin e atëhershëm, transmeton albinfo.ch. Por, në kushtet aktuale, sipas Seco-s, mbase nuk do të vendosej njësoj.
Ndërkohë është dëshmuar se helmi luftarak sarin është përdorur para një viti në një sulm ajror të ushtrisë siriane në veri të vendit.