Një pako e ardhur në selinë e Ambasadës së Bashkimit Evropian në Bernë dhe që nuk kishte adresë të dërguesit, ka alarmuar organet e sigurimit në këtë qytet. Shpërthimi disa orë më parë i pakos bombë në Ambasadën Zvicerane në Romë kishte ndikuar për marrjen e masave të veçanta të sigurisë. Për një kohë është evakuuar e gjithë ndërtesa, ndërsa specialistë të mjeteve shpërthyese ishin mobilizuar për të bërë kontrollin. Zjarrfikësit dhe ndihma e shpejtë ishin mobilizuar po ashtu.
Por, siç kanë njoftuar ndërkohë autoritetet e sigurisë, pakoja e gjetur kishte qenë jo vetëm e parrezikshme por ajo doli të ketë pasur brenda një libër, dhuratë për krishtlindje dërguar ambasadorit të BE-së në Bernë Michael Reiterer, me një fletë urimi të shkruar për këtë festë.