Që nga nesër në Zvicër koha do të jetë shumë e nxehtë. Kjo valë e vapës do të mund të zgjasë deri nga mesi i javës së ardhshme. Meteorologët nuk e përjashtojnë që kjo kohë të zgjasë deri në fund të javës. Temperaturat do të mund të arrijnë deri më 36 gradë celsius.
Erërat e nxehta nga Afrika e veriut dhe Spanja do të arrijnë të premten në Zvicër. Kështu që ajri i thatë dhe i nxehtë do ta vërshojë vendin, ka njoftuar «Météo suisse».
Veçse këtë të mërkurë vapa ka shënuar temperatura më të larta se 30 gradë, sikurse 33.3 gradë e regjistruar në Bazel.
Edhe pse të mërkurën në mbrëmje dhe të enjten ka pasur reshje si dhe një freskim të temperaturave, zhiva do të tregojë për të shtunën mes 31-34 gradë dhe do të ngjitet deri më 36 gradë të dielën (veçanërisht në Valis).
U rekomandohet personave të moshuar, grave shtatzëna dhe fëmijëve që të mos ekspozohen shumë gjatë këtyre temperaturave të larta.
Gjatë kohës së vapës specialistët rekomandojnë konsumimin e lëngjeve si dhe ushqimit sa më të lehtë.