Për më tepër se një muaj, frangu zviceran është duke humbur vlerën në mënyrë të vazhdueshme. Që para disa ditëve, frangu në krahasim me euron është aq i dobët si asnjëherë më parë që nga braktisja e kursit më të ulët të këmbimit para tre vitesh. Atëbotë, kursi më i ulët ka qenë në 1.20 franga. Të hënën, një euro ka kushtuar 1.19 franga.
Sipas Suzanne Ziegler, profesoreshë për banking dhe financa në Universitetin e shkencave të aplikuara të Cyrihut, klienti zviceran e ndjen menjëherë këtë ndryshim të kursit: “Po të porositësh një libër tek Amazoni, duhet paguar më tepër se para disa muajve”.
Një gjë e tillë vlen për të gjithë, madje edhe për ata të cilët do t’i rezervojnë pushimet verore. Ziegler vazhdon më tej: “Tek të gjitha produktet të cilat i paguajmë me euro, e ndjejmë dallimin”. Ky zhvillim ndikon që tregtia jashtë vendit të mos jetë fitimprurëse, shkruan “20 Minuten”, përcjellë Albinfo.ch. Por, në shumicën e rasteve ende mund të përfitohet.
Për Ziegler, ky ndryshim do të thotë: “Frangu nuk do të dobësohet, por se kursi është duke u normalizuar”. Për një kohë të gjatë, frangu ka qenë shumë i fortë. Tani është duke u normalizuar “monedha e mbivlerësuar zvicerane”. Një arsye e rëndësishme për këtë është që eurokriza është zgjidhur.
Ziegler nuk preferon të bëjë një parashikim për javët e ardhshme. “Ky trend ka dëshmuar: Është duke shkuar në drejtim të normalizimit të kursit të frangut”. Po të qëndrojë në të njëjtin vend situata politike e ekonomike në Evropë, kursi i këmbimit nuk do të zbresë në mënyrë të qartë. “Por, sapo të paraqiten probleme ekonomike në vendet jugore, kursi mund të ndryshojë”, ka përfunduar Ziegler.