Tre kallëzime penale janë ngritur për punësime me diploma të falsifikuara në Maqedoni.
Sipas Sektori për Punë të Brendshme në Kumanovë, nën hetim është personi M.M. 47 vjeç nga Kumanova, i dyshuar për përdorim të dokumentit me të dhëna të pavërteta dhe për B.R. 46 vjeç e V.M. 58 vjeç nga Shkupi, të dyshuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare, si edhe A.I. 37 vjeç nga Shtipi, i dyshuar për keqpërdorim të kompetencave dhe pozitës zyrtare, shkruan “RTV 21”.
“I dyshuari B.R. si i punësuar në Universitetin FON, ka falsifikuar të dhëna për personin M.M. gjoja se ka dhënë provime, duke i mundësuar kështu që të marrë diplomë universitare, të cilit i ka ndihmuar për punësim si kryeinspektor në departamentin për të huaj dhe për kthim në Qendrën rajonale për punë kufitare “Veri”. Kjo diplomë është përdorur për vazhdimin e studimeve të ciklit të dytë, ku B.R. sërish ka bërë falsifikime tjera. Edhe këtë diplomë, M.M. e ka përdorur në punën e tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, nga Ministria e Punëve të Brendshme, përcjell albinfo.ch.
Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi për dëmet e shkaktuara në sistemin edukativo-arsimor, duke filluar nga parashkollorët e deri tek universitetet, gishtin e drejton nga stafi joadekuat. Ai thotë se Inspektorati Shtetëror i Arsimit duhet të marrë masa që të verifikojë të gjitha diplomat e dyshimta të mësimdhënësve.
Sipas të dhënave të policisë, personi M.M. për tre vjet rresht me diplomat false ka ligjëruar si profesor në Universitetin e Shën Nikollës, duke përfituar 272.300 denarë.
Ai me diplomë false ka regjistruar studimet pos-diplomike në Fakultetin për biznes tek “Euro College” në Kumanovë, pastaj doktoratën në Universitetin për turizëm dhe hotelieri në Ohër, dhe ka dhënë provimin gjyqësor në Ministrinë e Drejtësisë, për t’i përdorur kotë tituj për punësim në MPB.