Një ngjarje e pazakonshme ka ndodhur në Hirschtal të kantonit Aargau. Një vajzë 18 vjeçare është plagosur me plumb në kokë dhe në atë gjendje ka vazhduar ta ndjekë dorasin që e kishte gjuajtur.
Vajza po kthehej në shtëpi pak pas mesnatës dhe kishte parë se dikush po e ndiqte. Papritmas kishte ndjerë një goditje në pjesën e prapme të kokës dhe ishte rrëzuar përtokë. Kur sulmuesi i afrohet ajo mbrohet me aq vendosmëri sa që ai i befasuar detyrohet të ikën nga vendi i ngjarjes.
Pak kohë më vonë, pas një ndjekjeje të shkurtë, policia ka kapur sulmuesin. Ai është një burrë i moshës 28 vjeçare nga po ky regjion i cili ka pranuar veprën.
Vajza nuk kishte qenë e vetëdijshme për plumbin që kishte në kokë. Vetëm pas kontrollimit të bërë më vonë, mjekët panë se në një skaj të kokës, ndodhej plumbi, i cili megjithatë, nuk paraqet rrezik për jetën e vajzës.