Gjykata e Apelit e ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 4 deputetëve të Vetëvendosjes.
Apeli përmes një njoftimi për media ka thënë se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 4 deputetëve: Drita Millakut, Xhelal Sveçlës, Fitore Pacollit dhe Salih Zybës ishte e pabazuar. Sipas vlerësimit të Apelit, nuk ekziston rreziku se të pandehurit do të mund të ikin apo të arratisen, pasi që ata janë deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe se i kanë premtuar gjykatës se do të paraqiten pranë saj sa herë që do të ftohen.
Të katër deputetët po dyshohen se kanë kryer veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ata dyshohet se më 21 mars, në seancën për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit kishin hedhur gaz lotsjellës.