Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për Klan Kosovën ka treguar se nesër do të ekzekutojë shkarkime në qeverinë e tij pas operacionit të sotëm të dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.
“Klan Kosova” dhe “Koha” kanë raportuar se nesër do të shkarkohet ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe Kryeshefi i AKI-së, Driton Gashi, përcjell albinfo.ch.
Sot gjatë ditës u arrestuan dhe dëbuan gjashtë shtetas turq që punonin në kolegjin turk “Mehmet Akif”, shkollë që bën pjesë në rrjetin e shkollave të klerikut turk Fetullah Gulen, i cili nga Turqia konsiderohet si terrorist.
Për arrestimin dhe dëbimin me procedurë të përshpejtuar të gjashtë turqve nuk kishin ditur asgjë krerët e shtetit.
Haradinaj, Thaçi e Veseli njoftuan se operacioni ishte i paqartë dhe se asnjë nga ta nuk kishin pasur detaje për aksionin.