Hamburgu është në probleme me rezultate, por edhe me lojtarët, e njëri ndër ta është edhe mbrojtësi shqiptar Mërgim Mavraj.
Menjëherë pas kthimit nga Kombëtarja shqiptare, në miqësoren me Norvegjinë, futbollisti i kuqezinjve ka marrë një ndëshkim nga skuadra gjermane, përcjell albinfo.ch.
31-vjeçari do të detyrohet tani të stërvitet me ekipin e të rinjve, një ndëshkim i drejtpërdrejtë nga trajneri Christian Titz, që po vepron me dorë të hekurt për shkak të gjendjes kritike ku ndodhet skuadra.
Trajneri i Hamburgut ka urdhëruar që shqiptari të stërvitet me ekipin e dytë për një periudhë të pacaktuar.
“Stafi teknik ka vendosur ta largojë Mërgim Mavrajn nga ekipi i parë për motive sportive”, tha drejtori sportiv, Bernhard Peters.
Mavraj është aktivizuar në 17 ndeshje të Bundesligës këtë sezon, me Hamburgun që renditet i fundit me 18 pikë, 7 më pak se vendi i 15 që i shpëton rënies.