Kombëtarja e Gjermanisë U21 ka arritur në Kosovë, ku të martën do të takohet me Kosovën U21, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian.
Trajneri i kampionëve të botës, Shtefan Kunc, ka deklaruar për KTV-në se kanë ardhur për fitore, pavarësisht se e respektojnë Kosovën.
“Do të jetë një ndeshje interesante. Është e kuptueshme që kemi ardhur për fitore. Dua të them se Kosova ka një ekip shumë të mirë me futbollistë që luajnë me zemër”, ka thënë ai.
Ekipi shpresa i Kosovës përballet me Gjermaninë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Kosova renditet e treta në grup me 10 pikë, 5 më pak se liderja, Gjermania.