Shqipëria sonte do të ballafaqohet me Norvegjinë në ndeshjen miqësore që do të zhvillohet në “Elbasan Arena” nga ora 19:00, shkruan albinfo.ch.
Mediat shqiptare të afërta me ekipin kombëtar kuqezi, kanë zbuluar se si mund të luajë Christian Panucci sonte.
Moduli që ka zgjedhur ai është 4-3-3, duke nisur me portën, që do të mbrohet nga Strakosha. Përpara “gardianit” të Lazios do të vendosen katër mbrojtës. Ajeti dhe Mavraj në qendër, ndërsa Hysaj dhe Lenjani nga e djathta në të majtë.
Mesfusha do të përbëhet nga tre kuqezinj. Në qendër do të luajë Ramadani, që starton për herë të parë si titullar në kombëtaren e madhe, duke pasur nga krahët Xhakën dhe Qaka, nga e majta në të djathtë.
Në majën e sulmit do të luajë Sadiku, edhe pse nuk ka pasur minutat e duhura aktivizim në klubin e tij.
Nga krahët do të aktivizohen Roshi dhe Grezda, nga e djathta në të majtë. Të dy këta lojtarë të shpejtë kanë për detyrë të asistojnë Sadikun, në rolin e finalizuesit të spikatur.
Duke iu referuar numrit më të shumtë të ndeshjeve me kombëtaren, Odise Roshi do të mbajë shiritin e kapitenit kuqezi, për herë të parë.
Deri më tani, Shqipëria dhe Norvegjia janë ndeshur katër herë. Kuqezinjtë kanë regjistruar një fitore, dy barazime dhe një humbje ndaj nordikëve.