Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova, edhe pse është shtet i vogël, ka potencial të madh ekonomik, e për këtë ka ftuar që të investojnë në vend përfaqësuesit e kompanisë MNG Group, të kryesuar nga Mehmet Nazif Gynal.
Haradinaj theksoi se Kosova ofron kushte të mira bashkëpunimi në kuadër të punës për zhvillimin ekonomik.
“Kosova është një ekonomi e vogël, por me potenciale të mëdha. Jemi të përkushtuar si Qeveri që të ofrojmë kushte të volitshme për të gjithë investitorët e huaj, që ata të ndjehen të sigurt”, tha kryeministri Haradinaj, duke e ftuar delegacionin për investime direkte në fushën e infrastrukturës.
Në njoftim thuhet se kompania MNG Group shprehu interesim për investime të mëdha kapitale në Kosovë, me fokus të posaçëm në projektin e gazsjellësit që e lidh Shqipërinë me Kosovën, por edhe në projekte të mëdha të karakterit publik dhe atij publiko-privat.