Janë publikuar emrat e 40 avokatëve të parë që janë pranuar në Listën e Mbrojtësve të Gjykatës Speciale. Juristët e pranuar në listë prej tash e tutje do të mund të përfaqësojnë të dyshuar, të akuzuar, grupe viktimash.
Pas kësaj, kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekatarina Trendafilova, ka përgëzuar avokatët e pranuar.
“Kushtet e rrepta për pranim në Listat e Mbrojtësve sigurojnë përfaqësim të efektshëm dhe profesional ligjor përpara Dhomave të Specializuara të Kosovës për të akuzuarit dhe viktimat, duke dhënë kështu një kontribut të mëtejmë për integritetin e administrimit të drejtësisë nga ana e Dhomave të Specializuara”, citohet të ketë thënë Trendafilova.
Sipas njoftimit të Gjykatës, procesi mbetet i hapur dhe në listë do të pranohen edhe mbrojtës të tjerë.
