Dy persona janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë nën hetime lidhur me sulmin e 28 qershorit mbi punktin e policisë serbë në fshatin Dobrosin në kufirin Kosovë-Serbi , njofton EULEX-i.
“Një gjyqtar i EULEX-it ka urdhëruar që të bëhet paraburgimi i dy të dyshuarve në lidhje me një incident me të shtëna ndërmjet Gjilanit dhe Bujanocit afër Portës 5. Tre të dyshuarit e tjerë janë urdhëruar të paraqiten në stacionin e policisë dhe u janë marrë pasaportat”, thuhet në një deklaratë të EULEX-it.
Të dyshuarit, sipas autoriteteve ndërkombëtare të akredituara në Kosovë, janë arrestuar më 1 korrik 2012 nga policia e EULEX-it dhe janë akuzuar për kryerje të veprës terroriste dhe pjesëmarrje në grup terrorist për gjoja gjuajtjen në pikën e kontrollit të policisë serbe afër Portës 5.
“Hetimi i udhëhequr nga një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës është mbështetur nga KFOR-i dhe Policia e Kosovës”, thuhet në një deklaratë për media lëshuar nga EULEX.
Ndryshe në mëngjesin e 28 korrikut persona të panjohur kishin hapur zjarr në punktin e policisë serbe në afërsi të Dobrosinit, ndërsa është raportuar edhe për një polic të plagosur. Ky ishte sulmi i dytë brenda dy muajve në të njëjtën pikë policore.
Stacioni i sulmuar i Policisë, ndërkaq është vetëm disa metra larg varrezave të Dëshmorëve të UÇPMB-së.
Dymbëdhjetë vjet më parë në Dobrosin u formua ish-Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, një formacion kryengritësish shqiptarë që luftuan për më shumë të drejta në tri komunat e banuara me shqiptarë në “Serbinë jugore ”.
Kjo strukturë guerile pushoi aktivitetin më 2001, pas një ndërmjetësimi ndërkombëtar.