“Zhurma e aeroplanëve” nënkupton problemin që krijohet në Zvicrën lindore dhe në Gjermaninë jugperëndimore nga zhurma që lirojnë aeroplanët gjatë ngritjes dhe aterrimit në Aeroportin e Cyrihut në Kloten.
Zona që preket nga këto veprime përfshin këto regjione të dy vendeve dhe për këtë arsye, si Gjermania, ashtu dhe Zvicra kishin ankesat e tyre.
Por të hënën, ministrja e komunikacionit, Doris Leuthard ka kumtuar në një konferencë shtypi se dy vendet kanë arritur pajtimin për zgjidhjen e problemit. Kompromisi parasheh që të gjithë aeroplanët duke filluar nga ora 18 deri në orën 6.30 të mund të aterrojnë duke shfrytëzuar vetëm territorin e Zvicrës.
Nga ana tjetër, Gjermania heq dorë nga kufizimi i numrit të fluturimeve. Kështu në mëngjes, aeroplanët e aeroportit të Cyrihut mund të fluturojnë mbi territorin gjerman një gjysmë ore më herët.
Krahas kësaj Aeroporti i Cyrihut detyrohet të zgjasë pistat. Po kështu, për këtë kompromis duhet të votojnë edhe parlamentet e të dy vendeve.
Qysh tash kanë filluar, nga palë të ndryshme kontestimet e kësaj marrëveshjeje.