Këshilli Federal, duke iu referuar nevojës akute për sanimin gjendjes në tunelin rrugor të Gothardit, ka marrë vendimin për hapjen edhe të një tuneli paralel. Këtë e ka deklaruar vetë ministrja përgjegjëse Doris Leuthard para medieve.
Hapja e një tuneli të tillë vlerësohet të jetë 2.8 miliardë franga.
Për të evituar rritjen e madhe të trafikut në këtë regjion, qeveria propozon që pas ndërtimit të tunelit të dytë, të dy tunelet të shfrytëzohen vetëm me nga një drejtim.
Mirëpo, ky qëndrim i qeverisë nuk është pritur vetëm me entuziazëm. Kështu, kantoni i Tesinës, përfaqësuesit e interesave të ekonomisë si dhe të trafikut automobilistik e kanë përshëndetur atë.
Ndërkohë, tepër kritikë janë treguar kantoni Uri dhe Partia Socialdemokrate. Ky qëndrim është një bllokim për synimet që transporti të kalojë nga rrugët automobilistike në binarët e trenit, thonë kundërshtarët.
Ndërkaq, shoqata “Alpeninitiative” e quan irracional këtë vendim të qeverisë.