Shkalla e lartë e papunësisë dhe kushtet e vështira socio-ekonomike kanë bërë që shumë persona të marrin kredi për financimin e nevoja të ndryshme familjare, por edhe për investime.
Sipas rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në tremujorin e tretë të vitit 2017 shkalla e papunësisë në Kosovës është 30.2 për qind.
Zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), kanë treguar për “Telegrafin” se numri i kredive në Kosovë shkon në rreth gjysmë milioni. Shkalla e lartë e papunësisë dhe mos krijimi i vendeve të punës ka bërë që qytetarët t’ia mësyjnë bankave për kredi, përcjell albinfo.ch.
“Aktualisht duke u bazuar nga të dhënat e sistemit të Regjistrit të Kredive, sipas raportimeve të bankave komerciale figurojnë në total 474,936 kredi aktive ku përfshihen huat, mbitërheqjet, kredit kartelat, garancionet”, ka thënë zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada.
Sipas statistikave të BQK-së, depozitat në banka janë mbi 3 miliardë euro, kurse kreditë e lëshuar nga bankat shkojnë në mbi 2.4 miliardë euro.