Në Vjenë bëhen bashkë njerëz që diku tjetër nuk mund të takonin kaq lehtë njëri-tjetrin. Në rastin e duos Catch-Pop String Strong bëhet fjalë për takimin mes violonçelistes Rina Kaçinari nga Kosova dhe violistes Jelena Poprzan nga Serbia.
Ato po bëjnë aktualisht prezantimin e albumit të tyre të parë.
Rinës dhe Jelenës nuk u bën shumë përshtypje që të tjerët vazhdimisht i referohen simbolikës paqësore të punës së tyre, shkruan “Die Presse”.
Për to, në plan të parë qëndron përzierja e egër e muzikës që e krijojnë. Ato punojnë me pasion në kompozimet e Bahut, të frymëzuara këndojnë dhe luajnë me instrumente këngë nga Ballkani dhe nga malet e Skocisë.
Krahas kësaj, dy zonjat prezantojnë edhe kompozime vetanake, sarkastike e të ngjyrosura me nostalgji, si ai “Turbofolkqueen or Slavica, The Cleaning Maid”, ku bëhet fjalë për jetën e mahnitshme të dyfishtë të një pastrueseje.