Ministrja e financave, Eveline Widmer-Schlumpf ka shkarkuar sot nga detyra drejtorin federal të Administratës Tatimore, Urs Ursprung.
Një projekt nga lëmi i informatikës ka cenuar në mënyrë të përsëritur ligjin e prokurimit, thuhet në një raport hetimi, të kërkuar nga ministrja Schlumpf. Dhe, përgjegjësia për këtë cenim i takon drejtorit të Administratës tatimore.
Fjala është për projektin “Insieme” që kushton 71 milionë franga dhe nga i cili pritej të thjeshtësonte qasjen e qytetarëve në institucionet administrative.
Lidhur me këtë çështje, Prokuroria Federale ka nisur një procedurë hetimi penal. Ajo supozon se nga kjo administratë u janë dhënë urdhëresa palëve të jashtme, që në të vërtetë nuk ka qenë e nevojshme tu jepeshin.
Por, siç ka bërë të ditur administrata financiare, hetimi penal nuk është drejtuar ndaj drejtorit Ursprung.