Në rast se Kosova eventualisht merr liberalizimin e vizave, kjo do t’ua mundësonte qytetarëve të saj, e sidomos të rinjve, lëvizjen e lirë drejt vendeve të BE-së.
Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, disa të rinj thonë se udhëtimin e parë pa viza do ta shfrytëzonin për t’i vizituar të afërmit, për studime, por edhe t’u njohur me kulturat tjera, përcjell albinfo.ch.
“Udhëtimi i parë kishte me qenë për arsye të vazhdimit të studimeve të mëtutjeshme”, thotë Leonita Bajrami, studente.
Taulant Hajdari, student, thotë se arsyeja e parë e një vizite në vendet e Schengenit do të ishte njohja e kulturave të Evropës.
Ndërsa, Rrahman Kurtolli thotë se udhëtimin e parë do ta shfrytëzonte për të vizituar të afërmit e tij.
Megjithatë, sipas tyre, me kushtet financiare jo të mira që kanë shumica e të rinjve, jo të gjithë do të mund t’i shfrytëzonin udhëtimet e tilla.
Bardha Krasniqi, studente, thotë se papunësia është aq e madhe në Kosovës sa qytetarët nuk do të mund të siguronin të ardhurat për t’i vizituar vendet e tjera.
Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkan që nuk mund të lëvizë lirshëm në Evropë.