Xhamia historike që gjendet në qendër të Tiranës e njohur si xhamia e Et’hem Beut, ka mbyllur dyert përkohësisht pasi do t’i nënshtrohet procesit të restaurimit. Kjo është konfirmuar nga myftiu i Tiranës Ylli Gurra, i cili i pyetur nga “Gazeta Shqiptare” theksoi se xhamia e Et’hem Beut do t’i nënshtrohet pas kaq shumë vitesh restaurimit, si pjesë e marrëveshjes mes Ministrisë së Kulturës dhe Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Gurra tha se procesi i restaurimit do të nisë zyrtarisht të hënën, dhe pritet të zgjasë deri në dy vite. Gjatë kësaj kohe, në këtë xhami nuk do të ketë as shërbesa fetare.
Marrëveshja e firmosur javën e kaluar mes Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, parashikon restaurimin e 5 monumenteve kulture të besimit islam dhe konretisht: Xhamia Mbret, Berat; Xhamia e Beqarëve, Berat; Teqeja e Helvetive, Berat; Xhamia e Et’hem Beut, Tiranë dhe; Xhamia e Pazarit, Gjirokastër.
Në këtë mënyrë, xhamia e Et’hem Beu do mbyllet sërish pas një periudhe 27-vjeçare, ku u rihap pas lejimit të ushtrimit të besimit nga regjimi komunist, me ardhjen e erës demokratike, shkruajnë mediat shqiptare.
Që nga viti 1967 e deri më 1991, Et’hem Beu mbeti një monument kulture që ruhej nga shteti, pa iu ndryshuar funksioni, siç ndodhi me të tjera xhami të cilat u shndërruan në vatra kulture apo magazina. Xhamia e Et’hem Beut, njihet ndryshe edhe si simbol i kryeqytetit shqiptar, pasi veç funksionit bazë, atë të kryerjes së ritualeve për besimtarët, kjo xhami përbën dhe një objekt me një vizitueshmëri të lartë turistike.