Në jubileun e pavarësisë së Kosovës, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka mbledhur kryetarët e komunave të Unionit të Bashkive Shqiptare të Rajonit, të cilët kanë vendosur që të formohet edhe Sekretariati i Unionit me seli në Tiranë për shkëmbim të përvojave me komunat shqip folëse.
Ahmeti në një konferencë të përbashkët deklaroi se është absurde që të jenë anëtarë të rrjeteve të ndryshme ndërkombëtare, ndërsa si bashki dhe komuna shqiptare të mos ketë bashkëpunim apo mos të shkëmbehen përvoja.
“Po e themi edhe një herë që ne po bëjmë shkëmbim të përvojave të komunat shqip folëse. Është kohë e bashkëpunimeve dhe është absurde të thirret për bashkëpunim me komunat tjera para se të bashkëpunojmë ndërmjet veti”, ka thënë Ahmeti.
E Kryetari i Tiranës Erion Veliaj pohoi se sot kanë biseduar kryesisht për çështje të pastrimit, gjelbërimit e transportit publik. Ndërsa kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi, ka uruar që Kosova të jetë sa më parë anëtare e NATO-s dhe BE-së.