Gjithsej 37 milionë euro janë derdhur në buxhetin e Kosovës, të premtuara më parë nga Banka Botërore.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Bedri Hamza, ka thënë se një prej parakushteve për përfitimin e këtyre parave ka qenë edhe ruajtja e stabilitetit makro-fiskal, plotësimi i të gjitha parakushteve, relacionet me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe, sipas tij, të gjitha këto janë plotësuar. Ai duke i vlerësuar si shumë të nevojshme paratë e dhëna nga BB-ja, ka shtuar se në bordin e kësaj banke është aprovuar strategjia katërvjeçare, që pritet të realizohet në mes saj dhe Kosovës, e cila vlerësohet rreth 176 milionë euro. “Përveç disbursimit të këtyre mjeteve për buxhetin e Kosovës që sigurisht se kanë impakt pozitiv në zhvillimet ekonomike në Kosovë, në rritjen ekonomike të Kosovës, në ruajtjen e stabilitetit makro-fiskal dhe nivelit bankar, Kosova ka negociuar dhe është aprovuar në bordin e Bankës Botërore edhe strategjia e re katërvjeçare që për herë të parë me Bankën Botërore kemi strategji katërvjeçare dhe pesha e kësaj marrëveshje për katër vitet e ardhshme vlerësohet që të jetë rreth 176 milionë euro”, tha Bedri Hamza, Ministër i Ekonomisë dhe Financave, Kosovë.Ndryshe, lidhur me rritjen ekonomike, ministri Hamza ka thënë se vlerësimet për vitin 2011 për rritje ekonomike 5% përputhen, ndërsa sipas tij të gjithë indikatorët janë që rritja ekonomike për vitin 2012 do të jetë rreth 5 përqind.