Nga gjithsej 220 mjekë të diplomuar brenda vitit në Maqedoni, 173 prej tyre ikin jashtë vendit për të ushtruar profesionin.
Këta të dhëna të shpalosura ditë më parë nga Oda e Mjekëve të Maqedonisë kanë nxitur reagime të shumta tek shoqatat joqeveritare që merren me probleme në sektorin e shëndetësisë, shkruan ‘Alsat’.
Nga shoqata e mjekëve të përgjithshëm dhe familjar thonë se nuk është vetëm aspekti financiar ai i cili shtyn mjekët të ikin nga vendi, përcjell albinfo.ch.
Sipas tyre kaosi që ekziston në Shëndetësinë Publike, mungesa e respektit ndaj mantilit të bardhë dhe mos reagimi i institucioneve kompetente për mbrojtjen e mjekëve shtynë ata që të lëshojnë vendin. Nga kjo Shoqatë shprehen të zhgënjyer nga autoritetet Shëndetësore.
Kryetari i Shoqatës së Mjekëve Shqiptar, Nevzat Elezi shpreh nevojën për ekzistimin e një ligji të posaçëm, i cili do t’i mbronte interesat dhe nevojat e mjekëve.
Sipas tij ekzistimi këtij ligji dukshëm do të kishte përmirësuar statusin e mjekëve, me çka edhe do të kishte ndaluar migrimin e tyre.
Sipas analizave të Odës së Mjekëve, nëse kjo gjendje nuk gjen përmirësim, pas tre vitesh Maqedonia do të përballet me mungesë të theksuar të kuadrit mjekësor.