Këshilli Federal i Zvicrës është shprehur të hënën kundër propozimit të bërë nga SVP-UDC, që azilkërkuesit delinkuentë të strehohen në kampe internimi. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e të drejtës ndërkombëtare, thuhet në një përgjigje me shkrim që qeveria i ka dërguar SVP-së për pyetjet që përfaqësuesit e saj i kanë shtruar në parlament.
Deputetët që kanë shtruar këto pyetje kanë qenë: Toni Brunner, Adrian Amstutz dhe Hans Fehr.
Sipas qeverisë, më tutje, vendosja e azilkërkuesve në një hapësirë të mbyllur nuk është e mundur në një shtet ku sundon ligji. Po kjo vlen edhe për përjashtimin e tyre nga procedura e azilit, që e kanë kërkuar përfaqësues të SVP-UDC-së.
Megjithatë, qeveria shprehet se është e brengosur për sjelljen delinkuente të nje pakice të vogël të azilkërkuesve dhe e dënon atë. Por, problemet aktuale, sipas saj duhet të zgjidhen përmes zbatimit konsekuent të instrumenteve ekzistuese. Kështu, masat e parapara me të drejtën ndërkombëtare lejojnë kufizimin e lirisë së lëvizjes të azilkërkuesve kur ajo rrezikon sigurinë dhe rendin publik.
Në raste të tilla lejohet ndalimi i daljes në qytet dhe në rast përsëritjeje edhe mbajtja në burg.