Një vjedhje tjetër spektakolare ka ndodhur brenda Policisë së Kosovës. 25.3 kilogram ari janë zhdukur nga Dhoma e Dëshmive në Stacionin e Policisë në Pejë, ndërsa menjëherë pas konfirmimit të këtij rasti, ka reaguar Komanda e Policisë në Prishtinë duke shkarkuar komandantin e policisë në Pejë dhe duke arrestuar katër eprorë të tjerë
Bëhet e ditur se nga detyra është shkarkuar Ahmet Hasi, komandanti i Policisë rajonale në Pejë, ndërsa në vend të tij, është emëruar Shaban Shala. Në arrest, ndërkaq është edhe shefi i hetimeve rajonale, Bajram Koliqi.
Përveç reagimit të menjëhershëm të komandantit të policisë, Shpend Maxhuni, Policia e Kosovës akoma nuk ka dhënë ndonjë reagim zyrtarë lidhur me këtë rast. Ky është rasti i dytë i vjedhjeve brenda Policisë së Kosovës pas atij të vitit 2009, kur nga Dhoma e Dëshmive në Prishtinë u vodhën mbi 47 kilogram heroinë, rreth 3 milionë euro dhe dëshmi të tjera të rëndësishme për hetime.
Kjo vjedhje e cila kishte ndodhur ndërmjet 24 dhe 25 prillit të vitit 2009, asnjëherë nuk u ndriçua. Rasti herë e morën në dorë policia e Kosovës e herë ajo e EULEX-it, megjithatë asnjë gjurmë nuk është zbuluar. Policët që u suspenduan atëbotë u rikthyen sërish në punë, ndërsa rasti u “tret si kripa në ujë”.