Një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës ka vdekur mbrëmë në vendin e tij të punës. I ndjeri Fehmi Salihu ka punuar në Termocentralin Kosova A në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ai është rrëzuar duke punuar nga një lartësi prej 30 metrash, me ç`rast edhe humbi jetën mbrëmë rreth mesnatës.
Edhe Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar për vdekjen e F. Salihut.
“Të nderuar kolegë punëtor të KEK-ut më dhimbje të thellë ju njoftojmë se mbrëmë në ndërrimin e tretë përkatësisht në ora 23 e 50 humbi jetën punëtori në TCA F. Salihu. I ndjeri humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës në punë. Ngushëllime familjes Salihu, ngushëllime kolegëve”, thuhet në njoftim.
Deri tash Policia e Kosovës, nuk ka dhënë detaje për rastin.