Kështu të paktën thotë studimi “Euro Health Consumer Index” që çdo vit krahason sistemet shëndetësore të vendeve evropiane, bazuar në faktorë të tillë, si të drejtat e pacientëve, koha e pritjes për trajtimet mjekësore, shërbimet e ofruara, etj., përcjell albinfo.ch.
Sipas raportit që merr në shqyrtim 34 vende, për të dytin vit radhazi Rumania rezulton si vendi me sistemin më të keq shëndetësor, ndërsa Shqipëria renditet në vendin e 27-të, ose e 7-ta nga fundi.
Vende të tjera të rajonit, si Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia pozicionohen më mirë, respektivisht në vend të 9-të, të 12 dhe të 14-të.
Shqipëria, Rumania dhe Bullgaria vuajnë nga një infrastrukturë e vjetërsuar shëndetësore, ku trajtimi në spitale është tepër i kushtueshëm.
“Ndërsa italianët preferojnë shtrimet e gjata në spital, pasi mund t’ia lejojnë vetes, bullgarët, rumunët dhe shqiptarët nuk munden”, thuhet në raport.
Sistemin më të mirë shëndetësor për vitin 2017-të e kishte Holanda, e ndjekur me pas nga Zvicra, Danimarka, Norvegjia dhe Luksemburgu.