Më shumë se 100 ekspertë të shëndetit për fëmijë kanë kërkuar nga Facebooku të tërheqë një aplikacion të caktuar për fëmijët nën moshën 13-vjeçare.
Në një letër të hapur për shefin e Facebookut, Mark Zuckerberg, ata e kanë quajtur si të papërgjegjshme tentativën për të inkurajuar fëmijët të përdorin Facebookun.
Fëmijët e vegjël nuk janë gati që të kenë llogari të rrjeteve sociale, kanë vlerësuar ata.
Facebooku thotë se aplikacioni ishte dizajnuar me ndihmën e ekspertëve të sigurisë në internet si përgjigje e thirrjeve të prindërve për të kontrolluar më shumë se si i përdorin fëmijët e tyre rrjetin social.
Ky aplikacion është version i modifikuar i Facebook Messengerit. Ai kërkon leje nga prindi para përdorimit.
“Messenger Kids do të jetë rrjeti i parë social i përdorur gjerësisht nga fëmijët e shkollave fillore. Por një grumbull i hulumtimeve ka demonstruar se përdorimi i gjerë i pajisjeve digjitale dhe rrjeteve sociale është i dëmshëm për fëmijët dhe adoleshentët, duke e bërë këtë aplikacion shumë të papërshtatshëm për zhvillimin e fëmijës”, thuhet në letrën e ekspertëve.
Kjo letër është nënshkruar nga shumë grupe të kujdesit për fëmijët në Britani e nga organizata amerikane.