Ministri i Diasporës i Shqipërisë, Pandeli Majko në një takim me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Selanik dhe në Greqinë e Veriut të organizuar nga Konsullja e Përgjithshme në këtë qytet, Pavlina Ylli, ka theksuar se përpjekjet kryesore të qeverisë për sa u përket mërgimtarëve janë fokusuar në sigurimin e së drejtës së votës së tyre nga vendet ku ata jetojnë.
Majko ka folur për përpjekjet e 120 ditëve të para të qeverisë për krijimin e një profili të një politike shtetërore që ka si bazë marrëdhënien e institucionalizuar midis Këshillit Koordinativ të Diasporës dhe shtetit shqiptar.
Duke vënë në dukje se brezi i dytë dhe i tretë i emigrantëve nuk po flasin mirë dhe aq sa duhet gjuhën shqipe, ai i ka kërkuar që të ketë më shumë cilësi në mësimdhënien e gjuhës.
Gjithashtu ka premtuar se me një koordinim me Ministrinë e Kulturës duhen shtuar aktivitetet e ndryshme kulturore në vendet ku jetojnë shqiptaret.