Mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në protestën e opozitës në Tiranë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u shpreh në protestën e opozitës së bashkuar se shqiptarët kanë një qëllim, refuzimin e Qeverisë së paligjshme të Edi Ramës. Kreu i Partisë Demokratike, më tej tha se sot po vendoset një raport i ri dhe i vërtetë i opozitës me qytetarët.
“Jemi bashkuar sot për motive të ndryshme, por me një qëllim, për të refuzuar qeverinë e paligjshme të Edi Ramës. Rama ik! Ne nuk e pranojmë më këtë bandë që u shërben interesave plaçkitëse të një grupi njerëzish për t’u pasuruar, duke grabitur shqiptarët dhe duke e shndërruar Shqipërinë tonë të dashur në çerdhe të krimit dhe drogës”, u shpreh Basha.
Ndërsa, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në fjalën e mbajtur në protestë, tha se Rama ka mbetur vetëm. Kryeministri i drogës theksoi ajo, dëshiron t’u vërë njerëzve sahat edhe për frymën dhe ai meriton të largohet një orë e më përpara.
“Më lejoni t’ju kërkoj falje për gabimet që kemi bërë që i kemi dhënë shansin këtij njeriu 20 vjet që të tallet me shqiptarët. Të protestojmë jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë”, tha ajo.