Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovision, Rona Nishliu u kualifikua në finalen e këtij festivali që po zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit.
Ajo, e cila ishte e pesta në renditje, gjatë performancës së saj në natën e parë gjysmëfinale, mbizotëroi skenën dhe transmetoi ndjenja te publiku me një interpretim mjaft emocional, ndërsa mori ovacione për vokalin e jashtëzakonshëm.
Kënga “Suus” është një vepër e Florent Boshnjakut, ndërsa tekstin e ka shkruar vetë këngëtarja nga Kosova.
Triumfi në Festivalin e Këngës në RTSH i ka mundësuar asaj rrugëtimin drejt Bakusë, ku në garën e madhe të këngës evropiane përfaqëson Shqipërinë.