Me këtë, përveç që po vështirësohet ambienti i të bërit biznes, po keqpërdoren edhe taksat e qytetarëve. Vetëm në vitin 2011, OSHP-ja anuloi për parregullsi 71 tenderë duke ia shpëtuar kështu buxhetit afër 5 milionë euro, shkruan “Express”.
Sherri i parregullsive me tenderë, buxheti i Kosovës po dëmtohet me të madhe. Komuniteti i biznesit po shqetësohet nga papërgjegjësia e institucioneve në shpenzimin e parasë publike.
Vetëm vitin e kaluar, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik i anuloi për shkelje 71 tenderë dhe i çoi ne rivlerësim 106 tjerë. Kryesisht për shkak të parregullsive në dosjet e tenderit dhe vlerësim jo i drejtë i ofertave. Po të mos trajtoheshin këto raste, atëherë buxheti i Kosovës do të dëmtohej për afër 5 milionë euro.
Raste si këto i kanë shqetësuar në masë të madhe edhe drejtuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Sipas tyre, me gjithë këto parregullsi në fushën e prokurimit publik, përveç që po keqpërdorën taksat e qytetarëve, po ngulfatet edhe ambienti i të berit biznes në Kosovë.
“Shqetësimet e Odës Amerikane, por edhe të komunitetit të biznesit në përgjithësi, konsistojnë në mënyrën e vlerësimit të ofertave tenderuese të bazuar kryesisht në kriterin e çmimit më të ulët, pavarësisht faktit se Ligji i Prokurimit Publik parasheh edhe dhënien e tenderëve për operatorët ekonomikisht më të favorshëm”, thuhet në një komunikate për media nga ky institucion.