Presidentes Atifete Jahajgës nuk do të mund t’ia marrin mandatin në formën se si ka parashikuar Komisioni për Ndryshimet Kushtetuese, me Amendamentin e dhjetë. Asaj do t’i lihet në dorën e saj të zgjedhë se si do të largohet nga posti i Presidentes.
Gazeta “Express”, duke cituar burime brenda Gjykatës Kushtetuese shkruan se gjyqtarët janë pajtuar që Amendamentin e dhjetë të propozimeve të Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese, ta kualifikojnë si jo në përputhje me të drejtat dhe liritë e njeriut.
Ky nen parasheh përfundimin e mandatit të Presidentes Atifete Jahjaga para përfundimit të mandatit kushtetuese pesëvjeçar. Sipas zyrtarit të Gjykatës Kushtetuese, propozimi i 10-të për ndryshimin e Kushtetutës është në kundërshtim me Nenin 45 të Kushtetutës.
Në këtë nen garantohet e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, derisa sipas të njërit draft të përgjigjes së Gjykatës, askush nuk mund t’ia marrë dikujt mandatin e fituar në mënyrë ligjore dhe kushtetuese.
“Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet”, thuhet në nenin 45, pika 1 e Kapitullit II të Kushtetutës së Kosovës, ku flitet për “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”.