Vetëm në sektorin privat, borxhet e jashtme kapin vlerën prej 1 miliard e 106 milionë euro.
Kjo hyrje në borxhe, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, përveç tjerash, ka ndodhur edhe për shkak se normat e interesit në bankat komerciale që veprojnë në Kosovë janë tejet të larta.
Eksperti i çështjeve ekonomike në Institutin “Riinvest”, Alban Zogaj ka deklaruar për Radio Evropa e Lirë se çdo mundësi e marrjes së fondeve jashtë Kosovës është më e lirë se sa brenda Kosovës.
Sipas tij, kjo hyrje në borxhe nënkupton investim në Kosovë, dhe çdo investim në vend ndikon në zhvillim ekonomik.
Por, ndryshe nga Zogaj, shprehet eksperti i çështjeve ekonomike, njëherazi ish ministër i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri.
Ai thotë se hyrja e sektorit privat në borxhe të jashtme mund të rrezikojë ekonominë e vendit, në rast se bizneset nuk janë në gjendje të kryejnë likuiditetin dhe detyrimet ndaj borxhlinjve.
Edhe Shatri thekson se ajo çfarë e ka bërë sektorin privat të hyjë në borxhe të jashtme, është kamata e lartë në Kosovë, e cila, siç thotë Shatri, për ekonominë e Kosovës është e papërballueshme.
Por, çfarëdo qofshin borxhet, thekson Shatri, ato mund ta dërgojnë vendin në krizë ekonomike dhe sociale.