Nga 16 deri më 20 janar „Swissbau 2018“ hap dyert në Bazel.
Bazeli, për katër ditë rresht do të jetë nikoqir për përfaqësuesit e bizneseve të industrisë së ndërtimit. Në katër sallat e «Swissbau» do t’i prezantojnë rreth 1,000 ekspozues prodhimet e tyre, ndërsa për herë të parë panairi ka një moto: «Bashkëpunim – të gjithë së bashku ose secili për vete?», shkruan albinfo.ch.
Fokusi është në digjitalizimin, me të gjitha aspektet dhe sfidat e saj për industrinë e ndërtimit. Panairin «Swissbau» pritet ta vizitojnë më shumë se 100.000 vizitorë të industrive të ndryshme të ndërtimit, profesionistë, kryesisht të kualifikuar në fushën e planifikimit, investimit, ndërtimit, tregtisë, pasurive të patundshme. Në mesin e tyre do të ekspozojnë për herë të dytë edhe 7 firma nga Kosova: ELNOR, LESNA, SHEHU, Binni, Koba, GreenHouse dhe Granit, shkruan albinfo.ch.
Pjesëmarrja e tyre në panairin e sivjetëm është bërë e mundur me financimin e USAID-it, Zyrës Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim DEZA-SDS, Qeverisë së Suedisë, Ministria kosovare e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).
Këto firma do të jenë të ekspozuara me shoqatën e përpunuesve të drurit në Kosovë, SHPDK. Këto 7 kompani do t’i ekspozojnë produktet e tyre të ndryshme, duke ofruar kualitet dhe dizajne moderne.
Firmat kosovare do të jenë prezente me pronarët e tyre dhe pritet që ata të bëjnë lidhje të reja biznesi me kompani zvicerane dhe të huaja.
Industria kosovare e përpunimit të drurit ka bërë përparim të madh vitet e fundit. Kompanitë kosovare tani i furnizojnë me produktet e tyre si tregun vendor, ashtu edhe tregjet ndërkombëtare, siç janë Gjermania, Holanda, Zvicra, Luksemburgu dhe vendet e tjera fqinje.