Probleme me vizat nuk kanë vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe bizneset e shumta.
Ata ankohen se ambasadat kanë nisur t’i shtrëngojnë procedurat e marrjes së vizës.
Bizneset thonë se për shkak të këtyre masave të ashpra po bëhet e pafavorshme Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, raporton KTV.
Me shqetësim këtë situatë po e shohin edhe shoqatat e biznesit. Thonë se çdo ditë e më shumë po rritet numri i ankesave të biznesmenëve që po hasin në probleme për marrje të vizave dhe kjo, sipas tyre, vetëm sa e ka vështirësuar situatën e të bërit biznes, përcjell albinfo.ch.
Ky nuk është rasti i parë që po u ndodh bizneseve.
Edhe viteve të mëhershme ambasadat kishin vënë një varg pengesash për bizneset, por që pas reagimeve të ashpra të shoqatave të bizneseve ambasadat ndryshuan qasjen, duke i zbutur kushtet për pajisjen e bizneseve me vizë.