Kandidati për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas dorëheqjeve të shumta që po bëhen në këtë parti, pas mospajtimeve që dolën në media, ka thyer heshtjen duke u deklaruar përmes rrjetit social “Facebook”, transmeton albinfo.ch. Kurti ka bërë thirrje për unitet të partisë, ndërsa shprehu një farë zhgënjimi për mungesën e diskutimeve brenda saj.
“Vetëvendosje është subjekt demokratik. Nuk ia imponon askujt qëndrimin. Bashkërisht, me pjesëmarrjen e mbi 2/3 të Kryesisë, votuam që dorëheqjet të rishqyrtohen dhe kemi kërkuar që të gjithë të dorëhequrit të kthehen në Kryesi. Morëm vendim për t’i kërkuar edhe një herë, me gjithë dashamirësinë e mundshme, që të kthehen, që të jemi bashkë, që të punojmë së bashku”, shkruan Kurti në “Facebook”.
Ish-lideri i Vetëvendosjes gjithashtu u bëri thirrje të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, që kanë ide të tjera, si anëtarë e si zyrtarë të Lëvizjes, të paraqesin platformat e tyre dhe të garojnë për postin e kryetarit të saj. Por aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vlorian Molliqaj, i cili është edhe vëllai i deputetit Dardan Molliqaj, ka komentuar ftesën për dialog të Kurtit, duke e quajtur atë hipokrite.