Tetë makina të madhësive të ndryshme për përpunimin e metalit ashtu si dhe shumë arka me pjesë ndërrimi dhe vegla kanë arritur ditë më parë në fondacionin “Imzot Lucjan Augustini” në Shqipëri. Ato janë dhuruar nga ndërmarrja “Kassecker-Gruppe” nga Waldsassen-i, shkruan onetz.de.
Ndërsa transportin e ka organizuar “Aktion Solidarität” të cilit i prin Geroldine Ondrusek nga Tirschenreuth.
Makinat e përdorura por në gjendje shumë të mirë, me vlerë prej disa mijëra eurosh gjejnë përdorim në Shqipëri në një Qendër për Stimulim Profesional. Nxënësit e rinj aty mësojnë për përdorimin e makinave speciale por edhe në përgjithësi për përpunimin e metalit, drurit dhe gurit, transmeton albinfo.ch. Me këto makina është siguruar puna e qendrës së përmendur për së paku dhjetë vitet e ardhshme.
Kështu, të rinjve u ofrohet një perspektivë e vërtetë për të startuar me një profesion drejt një të ardhme më të mirë. “Unë jam njohur me `Aktion Solidarität` nga një artikull gazete, përcjell albinfo.ch. Në kohën kur makinat e mirëmbajtura të përpunimit të metaleve do t`i zëvendësonim me të rejat, unë pyeta nëse mund të hynin në shërbim”, thotë menaxheri i “Kassecker”, Josef Andritzky duke shprehur kënaqësinë me faktin se çdo gjë ka rrjedhur mirë.