Prej futjes së tij mes dy rundeve të zgjedhjeve më 1974, debati televiziv i dy kandidatëve të rundit të dytë është eveniment politik i shumëpritur në Francë.
Debati mes kandidatëve aktualë pritet të fillojë sonte në orën 21.00. Ai do të zgjasë mbi dy orë dhe do të përcillet nga 20 kamera, 3 nga të cilat mobile. Skena dhe modalitetet e incizimit janë të rregulluara në mënyrë të përkryer nga ekipet e kandidatëve respektivë.
Këtë debat pritet ta ndjekin më shumë se 20 milionë telespektatorë, për ta përcjellë konfrontimin verbal mes tyre.
Për zgjedhjet e kësaj radhe ky mund të jetë shansi i fundit i Presidentit aktual të Francës si dhe i kandidatit të së djathtës UMP, Nicolas Sarkozy, për ta goditur opinionin në favor të tij, karshi kundërkandidatit socialist, François Hollande, i cili prin në sondazhe me 53% të votave. Veç kësaj, liderja e së djathtës ekstreme FN, Marinne le Pen, tha dje se do të votojë bardhë dhe se nuk do e mbështesë kandidaturën e Nicolas Sarkozy. Votat e FN mund të peshojnë rëndë në rezultatet e këtyre zgjedhjeve.Debatet presidenciale në Francë janë të njohura për fjalët vrastare që kanë përdorur kandidatët e mëhershëm ndaj kundërkandidatëve të tyre. Ndër fjalitë më të famshme është ajo që është prononcuar më 1981, në debatin mes socialistit François Mitterand, në atë kohë President i Francës dhe kandidat, si dhe kandidatit të djathtë dhe njëkohësisht Kryeministër i Francës, Jacques Chirac. Ky i fundit iu është drejtuar François Mitterand me fjalinë: «Sonte, ne jemi dy kandidatë të barabartë. Më lejoni që t’ ju thërras Zotëri Mitterand». Përgjgjja e François Mitterand ishte: «Po, keni shumë të drejtë, Zotëri Kryeministër»!