Qeverisë së Kosovës ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me të cilin Kosova mbështetet financiarisht me 100 mijë dollarë koalicionin global kundër ISIS. Nënshkrimin e marrëveshjes e ka bërë ministri i Financave, Bedri Hamza me ambasadorin amerikan, Greg Delawie, përcjell albinfo.ch.
“Ky memorandum dëshmon për marrëdhëniet tona të shkëlqyeshme dhe bashkëpunimin e ngushtë në interesa strategjike të përbashkëta. Kosova përmes këtij memorandumi është rreshtuar edhe financiarisht në përkrahje të Koalicionit Global Kunder ISIS, dhe do të jetë e gatshme që t’i përgjigjet edhe në forma tjera bashkëpunimit”, thuhet në njoftimin e ekzekutivit. Ambasadori Delawie ka thënë se ai është i kënaqur me faktin që Kosova e ka riafirmuar angazhimin e saj në Koalicionin Global Kundër ISIS.
Ai shtoi që bashkëpunimi është kyç për luftimin e ekstremizmit.
E, ministri Hamza u shpreh i lumtur që Kosova ka arritur këtë fazë të zhvillimit që t’i ofrojë mbështetje financiare.